Kajtazi: Haliti dhe Dreshaj janë pronarë të një klubi striptizi në Gjermani

Gazetari Vehbi Kajtazi ka folur për ngjarjet e fundit në Kuvend, ku pati përplasje verbale dhe fizike, mes nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti, dhe deputetit të LDK-së, Arben Gashi.
Kajtazi ka thënë në emisionin “Pressing”, me Leonard Kerqukin, në televizionin T7, se skena të tilla në Kuvendin e Kosovës kemi parë vazhdimisht, por për Kajtazin peshë përplasjes i kanë dhënë personazhet e përplasjes.
“Skena të tilla kanë ndodhë vazhdimisht, por është e rëndësishme mes kujt ka ndodhë përplasja dhe kush është personazh në këtë përplasje, e deputetin Arben Gashi nuk jemi mësu të përfshirë në raste tilla, dhe me kë ishte përplasur, kjo i ka dhënë më shumë peshë kësaj përplasje verbale, dhe sulmit fizik nga Xhavit Haliti drejt Arben Gashit”, ka thënë Kajtazi.
Kajtazi ka thënë se përplasja mes Halitit dhe Gashit i ka kujtuar dy raste, njëri kur e kanë goditur atë dhe tjetri, kur janë përplasur deputeti Frashër Krasiniqi me Milaim Zekën.
“Kjo përplasje mi ka kujtu dy raste, njëri është më mu, kur më kanë goditur mua dhe rasti deputetit Frashër Krasniqit me Milaim Zekën, dhe njerëzit nganjëherë dalin nga vetja dhe eskalon situata”.
“Rasti kur jam sulmuar unë, është rasti kur unë jam sulmuar nga një kriminel ordiner, i cili përdor stilin e njëjtë të Xhavit Halitit, thotë që të ka goditur me krah, por në fakt të godet me grusht. Unë mendoj që Haliti ka rrëshqit si individ dhe personalitet sesa si rrëshqitje, e gjithë kjo ka qenë e përgatitur, pasi ai e ka pa që deputeti Gashi nuk po duron, duke e kundërshtuar, dhe ai pikërisht për këtë ka bërë një gjet të tillë”, ka thënë Kajtazi.
Kajtazi ka thënë se më qesharaku në atë përplasjen në Kuvend ka qenë reagimi i deputetit Gani Dreshaj, i cili ishte i gatshëm për të shpërndarë grushta në Kuvend.
Ai ka shtuar se Haliti dhe Dreshaj janë aksionar në një klub striptizi në Gjermani.
“Xhavit Haliti dhe Gani Dreshaj janë aksionar në një klub në Gjermani që quhet “striptizi”, dhe për këtë disa vite më parë unë kam marrë prononcim nga Haliti në atë kohë dhe më ka thënë se Gani Dreshaj më ka shti pa dijeninë time në këtë biznes”, ka thënë Kajtazi.
Gazetari ka folur më tej për figurën e Halitit. Ka thënë se nënkryetari i Kuvendit ka qenë një ndër themeluesit e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).
“Nëse e shohim historinë e themelimit të SHIK’ut dhe PDK’së, Xhavit Haliti është fytyra kyçe i cili ka instaluar Shërbimin Informativ të Kosovës, i cili gjithmonë ka qenë dhe baba i z. (Hashim) Thaçi dhe (Kadri) Veseli”, ka thënë Kajtazi në “Pressing”.
Haliti “ka pasur fuqi të jashtëzakonshme, e vazhdon të ketë fuqi të jashtëzakonshme brenda partisë”, ka shtuar Kajtazi.
“Kurrë nuk ka qenë i pari, kurrë nuk ka qenë i fundit. Ka qenë i dyti ose i treti, në hije, por që asnjëherë nuk ka pasur përplasje, as kundërshtim të ideve e të punës së tij” në PDK, është shprehur ai.