Top-transferimi më i madh në Kosovë pas përfundimit të vjeshtës, Labinot Osmani, shpreson që në fund Feronikeli do të shpallet kampion.
“Kam pasur oferta nga Besa dhe Drita, por organizimi në 3-4 vitet e fundit dhe fakti që çdo vit Feronikeli lufton për titull dhe kupë, më ka shtyrë ta pranoj ofertën e këtij klubi. Arsye tjera janë edhe shoqëria si dhe afërsia më e madhe me familjen”, deklaroi Osmani për “GazetaOlle.com”.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Feronikelit dhe shpresoj që do t’i arrij objektivat. Besoj fuqishëm që mund të shpallemi kampion sepse gjashtë pikë nuk janë shumë në futbollin kosovar. Sa i përket synimeve personale, shpresoj që t’iu kthehem golave përsëri”, shtoi ai.
Në fund ai tha dy fjalë për Prishtinën e Lutz Lindemann, me gjermanin që e injoroi totalisht edhe pse sulmi i tij u tregua vazhdimisht i dobët gjatë stinorit vjeshtor.
“Do t’i harroj sa më shpejtë gjashtë muajt e fundit te Prishtina. Unë iu kam treguar para 6-7 muajve që nuk do të mbetem në skuadër më. Dëshiroja të luaja por nuk më inkuadronin. Gjithsesi, ajo mbetet e kaluar”, përfundoi Osmani.
Ai ishte transferuar nga Llamkos Kosova atë kohë te Prishtina bashkë me Bashkim Shalën, i cili u largua më herët nga skuadra bardhekaltër.
Osmani kalonte te Prishtina pas suksesit historik me skuadrën e qytetit të tij, Llamkosin, e cila u shpall kampione e Kosovës në edicionin 2013/14.