Ramiz Lladrovci del me sqarim rreth pretendimeve të VV-së se rruga nga Komorani deri në Gllobar nuk është e shpronësuar
Sqarim për qytetarët e Komunës së Drenasit nga kryetari i saj, Ramiz Lladrovci:
Në prag të fushatave zgjedhore, është e kuptueshme që niveli qendror me militantët lokalë tentojnë t’ia rrisin vetes meritat për projektet e realizuara. Është i pranishëm fenomeni i mashtrimit ku planifikimi vlerësohet si punë e realizuar.
Sot e mora vesh se nuk po ndërtohet rruga me katër korsi, nga Komorani deri në Glloobar gjoja se kjo rrugë “nuk është e shpronësuar”.
Kjo temë, e nxitur në Kuvendin e Drenasit, ku pretendimi i opozitares së Vetëvendosjes, ka për synim që të pavërtetën ta shpallë si të vërtetë.
Asnjë pengesë nuk ekziston për zhvillimin e projektit me katër korsi, Komoran-Drenas- (Gllobar)- Skenderaj. Nga drejtimi i Skenderajt deri në Gllobar është finalizuar. Kanë mbetur edhe rreth 9.200 metra gjatësi e papërfunduar. Rruga magjistrale Komoran-Drenas-Skenderaj është e shpronësuar në vitet ’70, është azhurnuar pjesa grafike në vitin 2018. Me një klikim të thjeshtë, në gjeoportal, kjo lehtësisht mund të verifikohet.
Ka pesë vjet se në këtë rrugë nuk është punuar fare. Nuk qëndron se kjo rrugë nuk është e shpronësuar dhe nuk po ndërtohet, gjë për të cilën, e demantova. Kjo trase (Komoran-Drenas-Skenderaj), është e shpronësuar, por, ka munguar vullneti për të ndërtuar këtë rrugë gjatë pesë viteve të fundit.
Kam deklaruar disa herë, në prani të Kryeministrit, Ministrit të Infrastrukturës dhe zyrtarëve tjerë duke e parashtruar pyetjen “Pse nuk po e ndërtoni rrugën me katër korsi kur nuk ka asnjë problem shpronësimi”.
Për më tepër, kujtojmë këtu deklaratën në profilin zyrtar të kryeministrit Kurti, më 25.7.2023, ku shkruan:
“Rruga Komoran-Drenas-Skenderaj po zgjerohet.
Po angazhohemi që t’i zgjidhim të gjitha problemet një nga një, përfshirë këtu edhe shpronësimin e pronave, që na solli vonesa në këtë rrugë. Më e mira është se punimet po zhvillohen për së mbari, e kështu zgjerimi i rrugës të përfundojë sa më parë.
Për këtë projekt kemi ndarë:
-13 milion euro për vitin 2024,
-15 milion euro për vitin 2025.”
Ky zotim i Kryeministrit, është dëshmuar se fare nuk ka filluar së realizuari. Nga Gllobari, në drejtimin Drenas-Komoran, nuk janë zhvilluar asnjë lloj punimesh qe 5 (pesë) vjet.
Sipas Ligjit për Buxhet për vitin 2022, për këtë rrugë me katër korsi, kanë qenë të planifikuara 650,000.00 euro, për vitin 2023, janë planifikuar 1,070,775.00 euro, ndërsa për vitin 2024, janë planifikuar 4,520,000.00 euro.
Sipas Ligjit për Buxhetit për vitin 2023, janë planifikuar 1,000,000.00 euro, për vitin 2024 janë planifikuar 1,500,000.00 euro dhe për vitin 2025, janë planifikuar 2,000,000.00 euro.
Sipas Ligjit për Buxhet për vitin 2024, janë planifikuar 3,000,000.00 euro, për vitin 2025, projeksioni është 8,000,000.00 euro, ndërsa për vitin 2026, plot 14,000,000.00 euro, i cilësuar si projekti: “Zgjerimi i rrugës Komoran-Drenas-Skenderaj”.
Në Buxhetin e vitit 2025, janë të planifikuara 1,000,000.00 euro, për vitin 2026 janë planifikuar 3,000,000.00 euro, ndërsa më 2027, janë planifikuar 3,000,000.00 euro.
Pra, sipas këtij Buxheti, Kryeministri thotë diçka tjetër, projeksionet buxhetore flasin ndryshe dhe Buxheti i aprovuar flet ndryshe. Për më keq, sipas gjithë kësaj, loja me shifra në mes të facebook-ut, të datës 25 korrik 2023, kanë qenë të premtuara 13 dhe 15 milionë euro gjë që nënkuptonte se rruga do të përfundonte më 2025.
Buxheti i miratuar sivjet tregon krejt diçka tjetër, duke përfshirë vitet 2025, 2026 dhe vitin 2027, ku janë planifikuar për tri vjet 7 milionë euro për zgjerimin e rrugës.
Një gjë dihet, rruga më e ngarkuar në Kosovë për ditët e shënuara, ditët përkujtimore të masakrave, apo ditët festive – gjatë Shkurtit (Pavarësia e Kosovës), gjatë marsit (Epopeja e UÇK-së), dhe Nëntori (Ditëlindja e Komandantit legjendar Adem Jasharit dhe Dalja publike e UÇK-së), nuk po realizohet me vite.
Në Kuvendin e Drenasit, duhen fakte, jo militantizëm, kur ka deklarime se rruga me katër korsi nuk po bëhet se “nuk është e shpronësuar”, ndërsa shpronësimi është kryer moti dhe nëpërmjet gjeoportalit, mund të konfirmohet ky fakt.
Një gjë është e qartë, rruga me katër korsi, në vitin e pestë me radhë, nuk ka pësuar asnjë ndryshim, rreth 9.200 metra gjatësi, sipas Qeverisë, nuk do të finalizohen as për tri vitet e ardhme deri sa është miratuar buxheti për këtë rrugë, për vitin 2025, 2026 dhe vitin 2027.
Me nderime,
Ramiz Lladrovci