Kështu duket fytyra e përgjakur e Halid Mujës, që u rrah në sallën e sporteve
Një incident ka ndodhur një ditë më parë në festën e mbajtur për ‘’Ditën e boshnjakëve’’. 20-vjeçari Halid Muja nga fshati Gërnçara, është rrahur nga sigurimi, pasi që ka dashur që t’iu bashkohej të tjerëve që po luanin në podium.
Në një foto të Mujës pas incidentit, të cilën e posedon Indeksonline shihen shenjat e dhunës në fytyrën e të riut, i cili u sulmua nga sigurimi në hyrje të sallës.
Ndryshe, lajmi për rrahjen e të riut është raportuar nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje.
‘’Dje ka qenë ‘Dita nacionale e boshnjakëve’, dhe ka ndodh ky rast, shpresoj që përgjegjësit të kapen dhe të marrin dënimin e merituar’’, ka deklaruar ajo për IndeksOnline.
Ndërkaq lajmi është konfirmuar dhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë për Indeksonline se rasti ka ndodhur rreth orës 22:30 në Qendrën sportive në Prizren dhe se një i ri e kishte sulmuar fizikisht një roje të sigurimit dhe më pas, ky i fundit iu kishte kundërpërgjigjur. Të njëjtit janë liruar pas intervistimi në procedurë të rregullt, dhe të dy kanë lëndime të lehta trupore.