E rrahën dhe e futën me dhunë në veturë 25-vjeçarin në Klinë, këta janë katër personat që u arrestuan

Një video që shpërfaq dhunën ndaj një të riu në fshatin Dresnik të Klinës është bërë virale gjatë ditës së djeshme në media. Në pamje shihet se disa persona rrahin keq viktimën dhe të njëjtin e fusin me dhunë brenda veturës. Si rrjedhojë, katër persona të dyshuar janë identifikuar dhe janë arrestuar nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se katër të dyshuarit janë:

J.Gashi 21-vjeçar, M.Gashi 19-vjeçar, M. Lezi 22-vjeçar, H.Lezi 18-vjeçar.

Vëllezërit Lezi dhe kushërinjtë Gashi janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin. Motivi që dyshohet se shtyu ata të bëjnë këtë veprim, është shpërndarja e disa fotografive familjare të të dyshuarve dhe sipas tyre, 25-vjeçari i kishte ofenduar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që katër të rinjve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë