“Uroj të mos vijë dita…”/ Arlinda përcillet sot në banesën e fundit

Arlinda Zekaj, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj të dielën në Vitomiricë të Pejës, do të varroset sot

Familja e saj ka njoftuar që ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës.

Vrasja e 49-vjeçares ndodhi më 25 tetor, në shtëpinë e saj në Vitomiricë. I dyshuari për rastin, Albert Sylaj, është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës dhe ende ndodhet në arrati.

Rasti ka tronditur opinionin publik, veçanërisht pasi u bë e ditur se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm tri ditë para se të vritej.

Më 22 tetor, ajo i ishte drejtuar me një letër Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar për rrezikun që i kanosej jetës së saj.

“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo në letrën e saj.

Po ashtu, vrasja ndodhi pak orë pasi Arlinda kishte raportuar në polici ish-bashkëshortin për kanosje. Për rastin janë ngritur pikëpyetje mbi veprimet e institucioneve dhe trajtimin e kërkesave të saj për mbrojtje.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕