Ismail Dibrani përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Shërbimeve Korrektuese

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, po merr pjesë në Forumin e Drejtuesve të Shërbimeve Korrektuese të Asociacionit Ndërkombëtar të Shërbimeve Korrektuese dhe Burgjeve (ICPA), që po mbahet nga 25 deri më 30 tetor në Belfast, Irlandën e Veriut, në kuadër të Konferencës së 28-të Vjetore të këtij asociacioni.

Forumi mbledh drejtues të lartë të shërbimeve korrektuese nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar çështje strategjike që lidhen me udhëheqjen institucionale, menaxhimin e sfidave në sistemet korrektuese dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë diskutimeve, vëmendje e veçantë po i kushtohet menaxhimit të mbipopullimit në institucionet korrektuese, sigurisë dhe mirëqenies së personelit, si dhe sfidave të udhëheqjes në situata krize, konflikti dhe pasigurie.
Pjesëmarrësit po shkëmbejnë përvoja profesionale dhe po trajtojnë praktika të ndryshme për përballimin e këtyre sfidave, duke theksuar rëndësinë e vendimmarrjes së përgjegjshme, qëndrueshmërisë institucionale dhe mbështetjes së vazhdueshme për personelin korrektues.

Pjesëmarrja e SHKK-së në këtë forum krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave me shërbimet homologe, avancimin e bashkëpunimit profesional dhe njohjen me praktikat bashkëkohore në administrimin e sistemeve korrektuese.

Në kuadër të aktiviteteve të forumit, pjesëmarrësit janë pritur nga Shërbimi i Burgjeve të Irlandës së Veriut dhe kanë marrë pjesë në një aktivitet simbolik, duke nënshkruar Murin e Paqes në Belfast. Ky aktivitet përcjell mesazhin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve nga vende të ndryshme.

Pjesëmarrja në këtë forum merr rëndësi të veçantë edhe në kontekstin e vlerësimit ndërkombëtar që SHKK mori vitin e kaluar, kur u nderua me Çmimin e Ekselencës nga ICPA, duke dëshmuar përkushtimin e institucionit në zhvillimin e shërbimeve korrektuese.

Ky vlerësim përbën një motiv shtesë për avancimin e standardeve profesionale, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe vazhdimin e përkushtimit të SHKK-së në përmbushjen e standardeve bashkëkohore ndërkombëtare.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕