Shpërndahen 92 pajisje bujqësore për fermerët e Drenasit
Sot janë shpërndarë 92 pajisje bujqësore për fermerët e Komunës së Drenasit, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Drenasit dhe organizatës Islamic Relief.
Përfituesit kanë pranuar:
34 makina për mbjelljen e grurit;
16 makina për mbjelljen e misrit; dhe
42 freza.
Në ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve mori pjesë edhe drejtoresha e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Donika Prenku, e cila uroi fermerët përfitues dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes konkrete për zhvillimin e bujqësisë lokale.
Kjo mbështetje është bërë e mundur përmes marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Drenasit dhe Islamic Relief, e cila parasheh investim të përbashkët për fuqizimin e sektorit të bujqësisë dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët lokalë.
Vlera totale e projektit është 110,873.40 euro, prej të cilave 61,350 euro (55%) financohen nga Islamic Relief, ndërsa 49,523.40 euro (45%) nga Komuna e Drenasit. Në kuadër të këtij modeli të bashkëpunimit, fermerët përfitues marrin pjesë me 30% të vlerës së komponentës përfituese, sipas kushteve të përcaktuara.
Përmes sigurimit të këtyre pajisjeve synohet rritja e kapaciteteve prodhuese, lehtësimi i punës së fermerëve dhe krijimi i kushteve më të mira për zhvillimin e prodhimit bujqësor në Komunën e Drenasit.
Komuna e Drenasit shpreh mirënjohjen për Islamic Relief për bashkëpunimin dhe mbështetjen në fuqizimin e fermerëve dhe zhvillimin e bujqësisë lokale.



