Arrestohen dy të mitur në Skenderaj, goditën veturën e Policisë dhe lënduan dy zyrtarë policorë
Dy persona të mitur janë arrestuar sot, më 26 tetor 2026, në Skenderaj, nën dyshimin për përfshirje në një incident ku mbetën të lënduar dy zyrtarë policorë.
Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Mitrovicën e Jugut, pas hetimeve intensive lidhur me ngjarjen e 24 tetorit.
Të dyshuarit, në cilësinë e shoferit dhe pasagjerit, dyshohet se fillimisht kishin marrë një veturë në mënyrë të kundërligjshme.
Më pas, ata ishin vërejtur nga njësitet policore, pasi drejtuesi i veturës po voziste në mënyrë të rrezikshme.
Gjatë përpjekjes së policëve për ta ndaluar, shoferi dyshohet se ka goditur veturën zyrtare të Policisë, duke e nxjerrë nga rruga dhe duke shkaktuar përplasjen e saj me një shtyllë elektrike.
Si pasojë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
Vetura e të dyshuarve është gjetur më vonë e aksidentuar dhe e braktisur në njërin nga fshatrat e Skenderajt.
Pas arrestimit dhe intervistimit, dy të miturit janë liruar me vendim të prokurorit kompetent, ndërsa rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Ndaj shoferit të dyshuar janë iniciuar rastet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Marrje në posedim të pasurisë së luajtshme”.


