Nisin punimet për unazën e brendshme të Skenderajt, Lushtaku jep detaje për projektin
Kanë nisur punimet për rregullimin e rrugës që do të shërbejë si unazë e brendshme e qytetit të Skenderajt, duke krijuar një lidhje të rëndësishme ndërmjet rrugës “28 Nëntori” dhe rrugës “Fadil Rrustemi”, në dalje te Parku “Idriz Rrecaj”, transmeton portali DrenicaOnline.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili ka theksuar rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e qarkullimit dhe infrastrukturës rrugore në qytet.
Sipas Lushtakut, ky segment rrugor pritet të ndikojë në lehtësimin e trafikut, përmirësimin e qasjes dhe krijimin e një lidhjeje më funksionale ndërmjet pjesëve të ndryshme të qytetit.
“Ky është një segment me rëndësi të veçantë për qarkullimin në qytet, i cili do të ndikojë në lehtësimin e trafikut, përmirësimin e qasjes dhe krijimin e një lidhje më funksionale ndërmjet pjesëve të qytetit”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai ka shtuar se fillimi i këtyre punimeve përbën një tjetër hap drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe ngritjes së standardit të jetesës për qytetarët e Skenderajt.
“Punimet që po nisin sot janë një tjetër hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe standardit të jetës për qytetarët e Skenderajt!”, ka përfunduar Lushtaku.


