Mbyllet përkohësisht parkingu te Tregu i Gjelbër në Drenas, Komuna njofton qytetarët
Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët se parkingu te Tregu i Gjelbër, në rrugën “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, do të jetë i mbyllur për parkim nga e diela, më 25 tetor, deri në përfundimin e një aktiviteti të planifikuar për të hënën, më 26 tetor 2026.
Sipas njoftimit të Komunës, kjo hapësirë do të shfrytëzohet për organizimin e një aktiviteti nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, në bashkëpunim me organizatën Islamic Relief Worldwide, Zyra në Kosovë, ku do të bëhet shpërndarja e makinerive bujqësore për fermerët përfitues.
Meqenëse përgatitjet për këtë aktivitet do të nisin që nga e diela, Komuna ka kërkuar lirimin e plotë të hapësirës së parkingut.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i largojnë automjetet me kohë dhe të shfrytëzojnë parkingjet alternative gjatë kësaj periudhe.
Komuna e Drenasit ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, në mënyrë që aktiviteti të zhvillohet pa pengesa.

