Cilat janë figurat e larta të PDK-së që po e mbështesin Përparim Grudën?
Rikthimi i Ligjit për Speciale në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula, me kërkesë të PDK-së, ka nxitur reagime të shumta brenda dhe jashtë partisë.
Ky veprim ka shpërfaqur edhe një përplasje të dukshme brenda partisë më të madhe opozitare.
Mospajtimet u bën të ditur pasi deputeti Përparim Gruda doli kundër kërkesës zyrtare të partisë.
Reagimet në rrjete sociale ndaj këtyre dy qëndrimeve japin një perspektivë interesante.
Grupi Parlamentar i PDK-së, përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar presidentes që ligji të kthehet në Kuvend për rishqyrtim. Megjithatë, njoftimi zyrtar i partisë nuk ka marrë pëlqimin publik të asnjë figure të njohur të PDK-së, të paktën nga reagimet e dukshme në rrjetet sociale.
Ndryshe nga njoftimi i partisë, reagimi i deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, njëri prej hartuesve kryesorë të këtij ligji, ka marrë pëlqime nga emra të rëndësishëm të partisë dhe të afërt me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Gruda ka dalë kundër qëndrimit të grupit parlamentar të partisë së tij, duke këmbëngulur se ligji nuk përmban asnjë gabim.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij”, ka shkruar Gruda në profilin e tij në Facebook.
Ky qëndrim ka nxitur reagime të shumta, por vëmendje të veçantë kanë marrë pëlqimet që statusi i tij ka marrë në Facebook.
Mes atyre që e kanë pëlqyer reagimin e Grudës është Vlora Çitaku, ushtruese e detyrës së kryetares së PDK-së.
Pëlqim statusit të deputetit i ka dhënë edhe ish-këshilltarët e ish-presidentit Thaçi, Ardian Arifaj dhe Adil Behramaj.
Madje, Behramaj i ka lënë Grudës edhe një koment me mesazh politik, duke i thënë të bëhet gati për kryetar.
Gjithashtu, statusi i deputetit Gruda është pëlqyer edhe mbesa e ish-presidentit Thaçi, Evgjeni Thaçi, e cila ka qenë edhe deputet e PDK-së dhe figura të tjera të njohur të kësaj partie.


