“Sqarim urgjent”, Hajdar Beqa thotë se PDK duhet të tregojë pse po kërkohet kthimi i ligjit
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka kërkuar sqarime nga partia e tij lidhur me kërkesën për kthimin e ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend.
Beqa ka thënë se PDK i detyrohet opinionit publik një sqarim të qartë dhe bindës.
Sips tij PDK duhet të japë arsye pse po kërkohet kthimi në Kuvend i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ende pa u dekretuar?
“A kanë qenë të njohura para dy javësh kur u votua ligji arsyet që sot po përdoren për kthimin e tij? Nëse po, pse atëherë u votua? Nëse jo, opinioni duhet ta dijë se çfarë ka ndryshuar ndërkohë? Për këtë situatë të krijuar, PDK duhet të dalë publikisht dhe të japë përgjigje të drejtpërdrejta, sepse vendimet e kësaj peshe nuk mund të merren sot e të zhbëhen nesër, pa një arsyetim serioz”, ka thënë Beqa.
Sipas tij besueshmëria politike ndërtohet me qëndrueshmëri dhe përgjegjësi, jo me vendime që lënë më shumë pikëpyetje sesa përgjigje!

