Vdekja tragjike në Komoran, Sami Lushtaku ngushëllon familjen Aliu

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas lajmit tragjik për vdekjen e Raif Aliut nga fshati Likofc i Skenderajt, i cili humbi jetën në vendin e tij të punës, në një betonierë në Komoran të Drenasit.

Lushtaku ka shprehur dhimbjen e thellë për këtë humbje, duke e përshkruar të ndjerin si një njeri të urtë, fjalëpak dhe punëtor të madh.

“E përjetova rëndë lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të Raif Aliut nga Likofci. Një lajm i tillë të trondit dhe të lë pa fjalë, sepse ikja e një njeriu të mirë, në mënyrë kaq të dhimbshme e të papritur, është humbje që rëndon mbi zemrën e secilit që e ka njohur”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka theksuar se Raifi vinte nga një familje e respektuar dhe se gjatë jetës së tij ishte dalluar për punën, sjelljen dhe respektin ndaj të tjerëve.

“Raifi ishte njeri fjalëpak, i urtë dhe punëtor i madh. Si njeri i një familjeje të respektuar, ai veten e dëshmoi me punë, sjellje dhe respekt për të tjerët. Sot Likofci dhe të gjithë ata që e njohën e përjetojnë rëndë këtë lajm të hidhur”, ka shtuar ai.

Në emër të tij dhe të Komunës së Skenderajt, Lushtaku u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Aliu, farefisit, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerin.

Kujtojmë se Raif Aliu humbi jetën në vendin e punës në Komoran, ndërsa rrethanat e vdekjes ende nuk janë sqaruar plotësisht.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕