Jakup Krasniqi refuzon kujdesin mjekësor në Hagë, vajza e tij Gresa: U ndjeva e pafuqishme, babi ka nevojë për kujdes

Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar me shqetësim pas një bisede telefonike me babanë e saj, i cili po mbahet në Hagë.

Përmes një postimi emocional, ajo ka bërë të ditur se babai i saj ka vendosur të refuzojë çdo kujdes mjekësor nga institucionet ku po mbahet.

Sipas Gresës, gjatë telefonatës Jakup Krasniqi i ka treguar se kishte refuzuar kontrollin nga disa mjekë.

“Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, ka cituar ajo fjalët e babait.

Gresa ka rrëfyer se kjo deklaratë e ka shqetësuar thellësisht, duke theksuar se babai i saj është në një moshë kur ka nevojë për përkujdesje të veçantë shëndetësore.

“Si bijë, natyrisht që u shqetësova. Babi është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka shprehur dhimbjen dhe pafuqinë që ndien përballë situatës, duke thënë se e ka të vështirë t’i kërkojë babait të pranojë kujdesin e institucioneve nga të cilat ai ndihet i padrejtësuar.

“U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë”, ka deklaruar Gresa.

Në fund, ajo ka treguar edhe fjalët që ia kishte thënë babait gjatë telefonatës.

“Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm. Kaq pata fuqi t’i them”, ka shkruar ajo.

Gresa Krasniqi e ka përmbyllur reagimin me një mesazh të fuqishëm, duke e cilësuar dënimin e babait të saj si padrejtësi.

“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!”, ka përfunduar ajo.

Në reagimin e saj, Gresa ka deklaruar gjithashtu se babai i saj është dënuar me 25 vjet burgim një muaj më parë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕