Gjenerallejtënant Kilinç vizitoi Komandën e Forcave Tokësore
Komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral brigade Mehmet Lladrovci ka pritur sot në vizitë Komandantin e Komandës së Përbashkët Strategjike Ndërkombëtare, Gjenerallejtënant Sebahattin Kilinç.
Gjatë takimit, i cili u zhvillua në Komandën e Forcave Tokësore (KFT), në një atmosferë miqësore dhe profesionale, u diskutua për proceset aktuale të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me theks të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve të Komandës së Forcave Tokësore. Gjithashtu, pala turke ofroi përvojat e Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë në zhvillimin profesional dhe ngritjen e kapaciteteve të personelit të FSK-së, përmes mundësive të shkollimit dhe trajnimit në Republikën e Turqisë.
Në përmbyllje të takimit, palët vlerësuan lartë bashkëpunimin dhe partneritetin ndërmjet dy forcave, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.
Gjeneralbrigade Lladrovci falënderoi Gjenerallejtënant Kilinç dhe delegacionin e tij për vizitën miqësore, si dhe për diskutimin e hapur dhe konstruktiv.

