Dibrani nënshkruan dokumentin e rëndësishëm, planet individuale të dënimit do të rishikohen çdo vit
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, nënshkruan Udhëzuesin për Monitorimin e Zbatimit të Planit Individual të Dënimit, i cili përcakton standardet, procedurat dhe përgjegjësitë institucionale për monitorimin dhe rishikimin e planeve individuale të dënimit për personat e dënuar.
Ky udhëzues synon të forcojë qasjen profesionale, të strukturuar dhe multidisiplinare në trajtimin e personave të dënuar, duke siguruar që secili prej tyre të përfshihet në programe dhe aktivitete rehabilituese, arsimore, profesionale dhe të punës, në përputhje me nevojat, rreziqet dhe vlerësimin individual.
Një nga parimet kryesore të këtij udhëzuesi është trajtimi i Planit Individual të Dënimit si dokument dinamik, i cili zhvillohet dhe përshtatet gjatë gjithë periudhës së vuajtjes së dënimit, e jo si një plan statik i përcaktuar vetëm në fillim të ekzekutimit të tij.
Në këtë drejtim, udhëzuesi mbështetet në parimet dhe standardet e përcaktuara nga Rregullat Evropiane të Burgjeve të Këshillit të Evropës, të cilat theksojnë rëndësinë e hartimit të një plani individual të dënimit, përfshirjen e personave të dënuar në procesin e planifikimit dhe rishikimin e rregullt të tij, duke vlerësuar rreziqet dhe nevojat e të personave të dënuar, dhe përcaktimin e ndërhyrjeve të përshtatshme rehabilituese dhe rishikimin periodik, në mënyrë që objektivat dhe aktivitetet të mbeten të përshtatshme dhe të arritshme.
Në përputhje me këtë qasje, planet individuale të dënimit do të monitorohen vazhdimisht dhe do të rishikohen së paku një herë në vit, ose më herët kur paraqitet nevoja, në përputhje me progresin dhe ndryshimet në rrethanat, rreziqet dhe nevojat e tij.
Udhëzuesi përcakton gjithashtu përgjegjësitë e stafit profesional të përfshirë në zbatimin dhe monitorimin e planeve individuale të dënimit, duke synuar forcimin e koordinimit institucional dhe të bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të fushave përkatëse.
Zbatimi i këtij udhëzuesi përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e proceseve të rehabilitimit, risocializimit dhe riintegrimit në shoqëri, si dhe në parandalimin e recidivizmit. Përmes një qasjeje të koordinuar dhe të individualizuar, Shërbimi Korrektues i Kosovës synon të rrisë efektivitetin e trajtimit dhe të përgatisë personat e dënuar për një rikthim sa më të suksesshëm në shoqëri.
Shërbimi Korrektues i Kosovës shpreh mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen dhe kontributin profesional të zyrtarëve të Njësisë Korrektuese të EULEX-it, si dhe të prof. asst. Rita Selimi nga Departamenti i Punës Sociale i Universitetit të Prishtinës, në hartimin e këtij udhëzuesi. Ky bashkëpunim ka kontribuar në avancimin e një qasjeje të strukturuar dhe multidisiplinare, në përputhje me standardet evropiane dhe me qëllimin e përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve rehabilituese.



