Aksion antidrogë në Komoran, sekuestrohen lëndë narkotike, arrestohen dy persona
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion antidrogë në fshatin Komoran të Drenasit, ku janë sekuestruar mbi 400 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, ndërsa dy persona janë dërguar në mbajtje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, aksioni është zhvilluar më 9 tetor 2026, rreth orës 20:20, nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë.
Fillimisht, policia ka ndaluar një veturë me targa vendore, ku gjatë kontrollit të dy personave të dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një cigare me substancë të dyshuar marihuanë, me peshë 0.71 gramë. Të dy personat janë liruar.
Në vazhdim të operacionit, policia ka bastisur dy shtëpi me urdhër të gjykatës. Në njërën prej tyre janë gjetur dhe konfiskuar 414.5 gramë marihuanë e dyshuar, 15 euro, dy telefona, një kamerë për monitorimin e hyrjes së shtëpisë, një peshore e vogël, një pajisje për bluarjen e marihuanës dhe një kartelë memorie.
Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë tjetër nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Lidhur me rastin, në stacion policor janë shoqëruar dy persona të dyshuar dhe një i mitur.
Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj të miturit është iniciuar rast për veprën penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”. Pas intervistimit, i mituri është liruar në procedurë të rregullt.



