Nis asfaltimi në Tushilë, Lushtaku: Po sanohen dëmet e shkaktuara nga vërshimet
Në fshatin Tushilë të Skenderajt kanë nisur punimet për asfaltimin e pjesëve hyrëse në urën e re të fshatit, si dhe për rregullimin e disa rrugicave që ishin dëmtuar nga vërshimet e viteve të fundit.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se këto ndërhyrje janë pjesë e punës për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe rikthimin e infrastrukturës në gjendje të përshtatshme për banorët.
Sipas Lushtakut, krahas pjesëve hyrëse të urës së re, po bëhet edhe trajtimi dhe asfaltimi i rrugicave të dëmtuara, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe përmirësimit të infrastrukturës në këtë zonë.
“Komuna e Skenderajt, përkundër vështirësive financiare, po vazhdon ndërhyrjet në terren, duke u përkujdesur për mirëmbajtjen e infrastrukturës publike rrugore në pjesë të ndryshme të territorit të komunës sonë”, ka deklaruar Lushtaku.

