Gazmend Hoxha udhëhoqi policinë në dy net të vështira, gjithçka përfundoi me qetësi dhe shtrëngim duarsh
Dy netët e fundit të protestave në Prishtinë u karakterizuan me tensione, përplasje të herëpashershme dhe situata të ndjeshme, por pa kaluar në një eskalim më të madh, transmeton IndeksOnline.
Në krye të operacionit policor gjatë këtyre zhvillimeve ishte drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili u pa vazhdimisht në terren duke përcjellë nga afër situatën dhe veprimet e njësive policore.
Pavarësisht momenteve të tensionuara, prania e madhe e policisë dhe koordinimi në terren bënë që situata të mbetej nën kontroll, ndërsa nuk u lejua që përplasjet të merrnin përmasa më serioze.
Gjatë protestave pati edhe ndërhyrje të policisë, vendosje të kordoneve dhe masa të tjera për menaxhimin e turmës, ndërsa në disa momente situata ishte mjaft e ndjeshme.
Megjithatë, fundi i protestës solli një pamje krejt tjetër nga tensionet e mëhershme. Policët dhe protestuesit u panë duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin, duke e mbyllur kështu natën pa incidente të rënda.
Ky moment u pa si një përmbyllje e qetë pas dy netëve të vështira, ku me gjithë tensionet dhe përballjet, situata nuk doli jashtë kontrollit./IndeksOnline/


