Amendamenti i ri për Specialen: Për ndryshimet ligjore, adresa vetëm Kushtetuesja në Prishtinë

Një amendament i miratuar në minutat e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara përcakton më qartë kompetencat e Dhomës Kushtetuese në Hagë.

Amendamenti, i propozuar nga deputeti Altin Krasniqi, parasheh që Kushtetuesja e Speciales të mund të marrë vendime vetëm për ankesat, urdhrat dhe aktgjykimet që bien në kuadër të Gjykatës Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pra për çështjet që lidhen drejtpërdrejt me rastet që trajtohen në Hagë.

Sipas këtij ndryshimi, për çdo çështje që lidhet me ndryshimin e Ligjit për Specialen apo amendamentit kushtetues, adresa do të jetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë.

Kjo nënkupton se palët nuk do të mund t’i drejtohen Dhomës Kushtetuese në Hagë për kontestimin e ndryshimeve të tilla ligjore apo kushtetuese.

Gazetari Besian Beha, i cili ka përcjellë nga afër gjykimin e krerëve të luftës në Hagë, ka rikujtuar se deri më tani, bazuar në praktikën e mëhershme, Kosova ishte obliguar të konsultohej edhe me mekanizmat e Bashkimit Evropian.

Ai ka përmendur rastin e vitit 2020, kur një çështje ishte referuar në Dhomën Kushtetuese në Hagë nga atëherë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Mbetet të shihet nëse ndryshimi i ri i ligjit do të sjellë reagim apo përfshirje nga Dhoma në Hagë dhe Bashkimi Evropian./IndeksOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕