Përparim Rama reagon pas protestës: Mos e urdhëroni Policinë kundër popullit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas përplasjeve mes Policisë së Kosovës dhe protestuesve në Prishtinë, duke kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për mënyrën e menaxhimit të situatës.
“Sheshi është i njëjti. Qytetarët po ashtu. Vetëm juve ju ka shpërfaq pushteti”, ka deklaruar Rama.
Ai tha se në mesin e protestuesve kishte veteranë të UÇK-së, fëmijë të tyre dhe qytetarë që, sipas tij, po kërkonin drejtësi.
Rama i cilësoi si të dhimbshme pamjet e personave të lënduar dhe kërkoi “shpjegim dhe përgjegjësi” për veprimet e Policisë.
“Pakënaqësia qytetare kërkon përgjigje politike. Gazi lotsjellës nuk e zëvendëson atë”, tha Rama.
Kryetari i Prishtinës iu drejtua edhe kryeministrit Kurti, duke ia kujtuar deklaratat e mëhershme për protestat dhe sheshet, ndërsa i bëri thirrje Qeverisë që të mos e përdorë Policinë, siç u shpreh ai, “si përgjigje ndaj dështimit politik”.
“Mos e urdhëroni Policinë kundër popullit”, përfundoi Rama.
Gjatë protestës së 5 tetorit pati përplasje dhe përdorim të gazit lotsjellës. Policia deklaroi se ndërhyri pasi protestuesit hodhën mjete piroteknike dhe sende të ndryshme, ndërsa nga Emergjenca u raportua se 12 persona kërkuan trajtim mjekësor, 11 protestues dhe një polic.


