OVL e UÇK-së në Drenas ndërpret bashkëpunimin me komunën, akuzon për përjashtim dhe mungesë mbështetjeje

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, dega në Drenas, kanë njoftuar se kanë vendosur ta ndërpresin bashkëpunimin institucional me Komunën e Drenasit, duke përmendur mungesën e vazhdueshme të bashkëpunimit dhe mbështetjes nga institucionet komunale dhe kryetari Ramiz Lladrovci.

Në njoftimin e publikuar më 2 tetor, organizatat thonë se janë përjashtuar nga aktivitete të ndryshme dhe se nuk kanë marrë ndihmë apo përkrahje institucionale.

Sipas tyre, prej vitesh nuk janë ftuar në aktivitete dhe mbledhje solemne për data të rëndësishme, si 17 shkurti, 5, 6 dhe 7 marsi, si dhe 14 qershori – Dita e Çlirimit.

“Ne jemi të përjashtuar nga secili aktivitet duke mos afruar asnjë bashkëpunim, asnjë ndihmë dhe asnjë përkrahje”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Organizatat pretendojnë gjithashtu se kërkesat e tyre janë refuzuar ose kanë mbetur pa përgjigje, derisa, sipas tyre, rreth 50 organizata joqeveritare përfitojnë forma të ndryshme mbështetjeje nga komuna.

Në njoftim përmendet edhe, siç thuhet, “moslejimi dhe pengimi për shfrytëzimin e trojeve”.

Organizatat e dala nga lufta u kanë kërkuar falje familjeve të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe qytetarëve, duke thënë se bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë me një institucion që, sipas tyre, “në vend të mbështetjes, i pengon dhe i përjashton”.

Njoftimi është nënshkruar dhe vulosur nga përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta të UÇK-së në Drenas.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë
✕