Parregullësi në kantierin e ndërtimit në Drenas, urdhërohet ndërprerja e punimeve
Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të punimeve në një objekt ndërtimi në komunën e Drenasit, pasi gjatë inspektimit janë konstatuar parregullësi në zbatimin e masave për siguri dhe shëndet në punë.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrollit janë evidentuar mangësi që lidhen me mosmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e punëtorëve.
Për këtë arsye është nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve, deri në eliminimin e të gjitha mangësive të konstatuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për vazhdimin e punës.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, duke u bërë thirrje punëdhënësve që t’i respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas Inspektoratit, respektimi i këtyre standardeve është thelbësor për parandalimin e aksidenteve në vendin e punës.


