2 minuta e 50 sekonda: Edi u ndalua me shenjën STOP të policisë, del video e plotë pa ndërhyrje
Pas disa ditësh publikimesh të pjesshme, tashmë në rrjet është shpërndarë videoja më e gjatë nga përballja mes Joz Markut dhe Ed Kuçit.
Materiali, me kohëzgjatje rreth 2 minuta e 50 sekonda, tregon një pjesë shumë më të gjerë të asaj që ndodhi para dhe gjatë incidentit që ka bërë bujë ditëve të fundit. Një prej detajeve që bie menjëherë në sy është shenja e trafikut STOP që shihet në duart e njërit prej djemve që ndodhen me Jozin.
Nga sekuenca e videos krijohet përshtypja se Edi është ndalur teksa po lëvizte me veturë, ndërsa Jozi shihet pranë një makine tjetër në afërsi. Më pas nis përballja mes tyre, me disa persona të tjerë të pranishëm gjatë gjithë situatës.
Vetëm nga pamjet nuk mund të konfirmohet nëse shenja STOP është përdorur posaçërisht për ta ndalur Edin apo cili ka qenë organizimi para takimit, por ky detaj është ndër elementet e reja që nuk ishte parë në fragmentet e publikuara më herët.
Përballja vazhdon me Jozin që i kërkon llogari Edit për deklaratat dhe fyerjet e mëhershme ndaj tij në rrjetet sociale. Në një moment ai e godet me shuplakë, ndërsa drejt fundit të videos i kërkon të ulet në gjunjë.
Edi shihet duke u ulur dhe duke kërkuar falje, moment me të cilin përfundon edhe sekuenca e publikuar.
Pamjet e para nga incidenti dolën më 2 shtator, ndërsa një ditë më vonë u publikua edhe fragmenti ku Jozi dëgjohej duke i thënë Edit “ulu në gjunjë”. Pas tyre reagoi edhe vetë Kuçi, i cili shkroi se kishte qenë “15 me 1”, duke pretenduar se ishte përballë një grupi personash.
Videoja e plotë tashmë sjell më shumë kontekst për mënyrën se si nisi dhe u zhvillua përballja, megjithëse rrethanat që i paraprinë takimit mes tyre ende nuk janë sqaruar plotësisht nga palët.


