Protestë në heshtje në Lubjanë në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit
Një aktivitet paqësor dhe simbolik në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, është paralajmëruar të mbahet në Lubjanë të Sllovenisë.
Egzon Shabani, përmes një njoftimi drejtuar bashkatdhetarëve, ka bërë të ditur se aktiviteti do të organizohet të dielën, më 13 shtator, nga ora 20:00, në Tivoli Park në Lubjanë.
Sipas njoftimit, pjesëmarrësit do të mblidhen në një protestë në heshtje, me synimin që të shprehin solidaritetin dhe kërkesën e tyre për drejtësi dhe proces të drejtë.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit do të ndezin dritat në duart e tyre, si simbol i shpresës, së vërtetës dhe lirisë.
“Një dritë për shpresën. Një zë për drejtësinë. Një mesazh për liderët në Hagë: nuk jeni vetëm dhe nuk jeni harruar”, thuhet në thirrjen për pjesëmarrje.
Organizatorët kanë ftuar bashkatdhetarët që t’i bashkohen aktivitetit dhe mesazhi të përcillet në mënyrë paqësore, qytetare dhe dinjitoze.


