Hektor Beqiri me aksion të madh në Gjermani: “KOSOVA PO PRET” shfaqet në 77 lokacione për çlirimtarët që po gjykohen në Hagë
Atdhetari Hektor Beqiri, i cili gjatë këtyre gati gjashtë viteve u ka qëndruar vazhdimisht pranë ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ka paralajmëruar një tjetër aktivitet të veçantë në mbështetje të tyre.
Beqiri ka bërë të ditur se të shtunën, më 5 shtator, nga ora 20:00 deri në 20:05, në plot 77 lokacione në të gjithë Gjermaninë do të shfaqet mesazhi “KOSOVA PO PRET”.
Ai u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që jetojnë pranë këtyre lokacioneve që të dalin së bashku me familjarët dhe miqtë, ta përcjellin këtë moment dhe ta dokumentojnë përmes fotografive dhe videove.
“Ky është një moment që duhet ta shohim, ta përjetojmë dhe ta dokumentojmë bashkë”, ka shkruar Beqiri.
Sipas tij, mesazhi dhe numërimi do të qëndrojnë në ekranet gjigante vetëm për pesë minuta, nga ora 20:00 deri në 20:05.
Beqiri ka kërkuar që fotografitë dhe videot nga lokacionet e ndryshme të shpërndahen në rrjetet sociale, në mënyrë që këtë moment ta përjetojnë edhe shqiptarët që ndodhen larg dhe nuk kanë mundësi të jenë fizikisht të pranishëm.
“77 lokacione. 5 minuta. Një mesazh. Një Kosovë. Tregojmë se jemi aty. Tregojmë se na bashkon Kosova”, ka theksuar ai.
Në fund, Beqiri ka bërë thirrje që njoftimi të shpërndahet sa më shumë dhe të etiketohen familjarët e miqtë që jetojnë në Gjermani, në mënyrë që sa më shumë bashkatdhetarë të bëhen pjesë e aktivitetit.
KOSOVA PO PRET.


