PDK e AAK bashkë me aktivistë nga Skenderaji e Istogu bllokojnë hyrjen e Qeverisë
Deputetë të PDK-së dhe Aleancës, bashkë me asamblistë e drejtorë nga Skenderaj e Istogu, kanë vazhduar edhe sot aksionin e tyre para Qeverisë, duke bllokuar hyrjen e objektit që nga orët e mëngjesit.
Edhe këtë të hënë, thirrja e tyre ishte e njëjtë, të formohen institucionet e vendit sa më parë.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, para mediave deklaroi se kur cenohet shteti dhe Kushtetuta, siç tha ai, cenohet edhe interesi më i madh i qytetarëve.
“Kur cenohet Kushtetuta dhe shteti i Kosovës, neve na keni përball, sepse kemi edhe ne përgjegjësi, të mbrojmë Kushtetutën, shtetin. Mos ta ngatërrojnë durimin tonë me frikë, sepse bash hiç nuk frikësohemi, sepse kur protestojmë sot në mënyrë simbolike në numër më të vogël, nesër edhe në rrugë. Dhe sigurisht që ata të cilët e kanë marrë pushkën në dorë në kohën më të vështirë dhe e kanë hequr armikun shkullor nga Kosova, janë në mesin e PDK-së si dhe të Aleancës, dhe ata kanë pasur guxim edhe më të madh, besoj se kjo është punë më e vogël që e bëjmë për shtetin tonë”, tha Lushtaku.
Nga ana tjetër, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi tha se për dy vjet Kosova po përballet me mungesë të funksionimit të institucioneve, ku sipas saj, vendi për sfidat që po kalon, po kërkon zgjidhje.
“E ftoj edhe një herë Albin Kurtin që të mos bëjë hajgare me besimin e qytetarëve të cilët ia kanë dhënë me 53 deputetë. Të vijë në Kuvend, të krijojë institucionet dhe të vazhdojë me punën”, u shpreh ajo para mediave.
Grupi Parlamentar i PDK-së, së bashku me anëtarë të Kryesisë, asamblistë, drejtorë dhe aktivistë nga Skenderaj dhe Istogu, i janë drejtuar Kurtit edhe nëpërmet Facebook.
Sipas tyre, Kosova nuk mund të vazhdojë të mbahet në krizë. Çdo ditë e bllokadës institucionale e thellon krizën e shtetit dhe rëndon pasojat për qytetarët.
“”Mesazhi ynë për deputetin Kurti është i qartë: hiq dorë nga bllokada, kthehu në Kuvend dhe mos e mbaj vendin në krizë për interesa politike”.



