Hysni Mehani ironizon me protestën e PDK-së para Qeverisë
Hysni Mehani, zëvendësministër në Ministrinë e Financave, ka ironizuar protestën e mbajtur para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Mehani ka komentuar deklaratat e protestuesve (PDK), të cilët, sipas tij, në orët e mëngjesit e konsideronin Albin Kurtin vetëm deputet dhe jo kryeministër, ndërsa më vonë paralajmëruan se do të protestojnë sërish duke i drejtuar kërkesa “Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti”.
“Në ora 08:00 Albini s’është kryeministër, në ora 11:00 Albini është kryeministër”, ka shkruar Mehani, duke e cilësuar këtë si kundërthënie në qëndrimet e protestuesve.
Ai ka vazhduar me tone të ashpra ndaj disa prej pjesëmarrësve nga Skenderaj, duke i akuzuar për standarde të dyfishta sa i përket demokracisë dhe kritikës politike.
Mehani ka përdorur edhe ironi, duke shkruar se motoja e protestuesve mund të ishte: “Ta bëjmë demokracinë në të gjithë Kosovën, siç e kemi bërë në Skenderaj”.
Reagimi i tij vjen pas protestës së PDK e AAK zhvilluar para hyrjes së Qeverisë, ku pjesëmarrësit kundërshtuan mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe paralajmëruan vazhdimin e protestave.


