Menaxhimi me mbeturinat: “Secila komunë të ketë nga një ‘Pastrim’”
Këtë të enjte, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kreu i Lipjanit, Imri Ahmeti dhe i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, diskutuan lidhur me menaxhimin e mbeturinave në këto komuna, dhe komunat e tjera që menaxhohen nga ndërmarrja “Pastrimi”.
Në një konferencë për media, Rama tha se ai dhe dy kryetarët e tjerë ranë dakord se secila komunë të menaxhojë vetë telashet me mbeturina për zonat e veta, transmeton Klankosova.tv.
“Diskutimet tona na pruan deri në pikën ku, me marr përgjegjësi, secila komunë për vete. Pra kjo duket që do të jetë mënyra më e mirë, që ta shtimë në menaxhim çështjen e pastrimit, pasi e dimë që “Pastrimi” është një kompani regjionale. Prishtina përkundër faktit që i ka 77.6% të aksioneve, ka vetë, një anëtar të bordit, pra nuk mundet me e menaxhu procesin, po ashtu edhe Drenasi e Lipjani janë në rotacion, dhe kjo vlen edhe për komuna të tjera. Dhe mënyra më e mirë, me përgjegjësinë më të madhe për secilin kryetar, për secilin qytet, është që “Pastrimi” të krijohet në bazë të komunave, secila komunë të ketë ekipin e vetë, të jetë 100% përgjegjëse për ekipin e vetë, edhe për pastrimin e zonave të veta. Këto janë ato që diskutuam, dhe jemi në një vi”, u shpreh Rama.
E Ahmeti tha se secila komunë duhet të marrë përgjegjësinë për problematikat me bërllokun.


