Ganimete Musliu ka një rekomandim për Policinë e Kosovës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, u vendos përballë disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në aktivitetin e partisë përpara objektit të qeverisë.

Gjatë aktivitetit, Musliu disa herë u bëri thirrje policëve se, nëse Albin Kurti, si deputet i betuar, mund të hyjë në qeveri, atëherë edhe deputetët e PDK-së munden.

“Para se të na pengojnë qasjen në institucione, ju rekomandoj Policisë së Kosovës ta lexojë ligjin nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, konkretisht nenin 11 – qasja në institucionet publike”, ka shkruar Musliu në Facebook, pas përfundimit të aktivitetit.

Sipas saj, PK-ja duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës, dhe jo urdhrave politikë.

“Për 16 vjet në Kuvendin e Kosovës, kam punuar çdo ditë për një polici profesionale, me integritet dhe dinjitet. Jo për një polici që i nënshtrohet urdhrave të cilitdo politikan apo partie politike”, shtoi ajo.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë