Ramadan Gashi mbron Hysni Gucatin: Nasimi po bën akuza të pavërteta
Ramadan Gashi nga Drenasi, ish-sekretar i OVL-së së UÇK-së, ka reaguar ndaj deklaratave të Nasim Haradinajt në një studio televizive, duke i cilësuar si të pavërteta akuzat e bëra në drejtim të kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Gashi ka kundërshtuar pretendimet se në organizatë kishte pasur keqpërdorime dhe se sekretari ishte larguar nga puna për këtë arsye.
“Për sqarim të opinionit publik, sekretar gjatë asaj periudhe kam qenë unë, Ramadan Gashi. Të gjitha këto pretendime dhe trillime i hedh poshtë me argumente dhe fakte. Nuk ka pasur asnjë keqpërdorim në OVL-UÇK”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka theksuar se pretendimet e Haradinajt nuk qëndrojnë, ndërsa ka kujtuar se Hysni Gucati, gjatë mandatit të tij të parë, e kishte emëruar Nasim Haradinajn nënkryetar të organizatës.
Sipas Gashit, inatet dhe përplasjet personale duhet të lihen anash kur bëhet fjalë për OVL-UÇK-në.
Në fund, ai ka deklaruar se është i gatshëm të argumentojë para çdo individi apo institucioni se organizata ka vepruar në përputhje me ligjin dhe se nuk ka pasur keqpërdorime gjatë periudhës kur ai ka ushtruar detyrën e sekretarit.


