Tragjedi në Malishevë: Gruaja vdes pas plagosjes me armë zjarri, burri mbetet i plagosur
Një grua ka humbur jetën, ndërsa bashkëshorti i saj ka mbetur i plagosur pas një rasti me armë zjarri që ndodhi mbrëmë në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar Vlera Krasniqi nga Policia Rajonale e Gjakovës.
Policia është njoftuar për rastin më 23 gusht 2026, rreth orës 23:20, ndërsa njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Në një dhomë gjumi janë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur nga arma e zjarrit. Pas ndihmës së parë mjekësore, të dy janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
Rreth orës 01:10, Policia është njoftuar nga QKUK-ja se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve.
Në vendngjarje ka dalë edhe prokurori i shtetit, me vendim të të cilit është iniciuar rasti si “Vrasje e rëndë”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.



