Burri dyshohet se vrau gruan shtatzënë, Prokuroria jep detajet e fundit për tragjedinë afër Malishevës

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje lidhur me rastin tragjik që ndodhi në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua humbi jetën nga plagët e marra me armë zjarri, ndërsa bashkëshorti i saj mbeti i plagosur rëndë.

Sipas Prokurorisë, viktima, bashkëshortja e personit të dyshuar, ka ndërruar jetë në QKUK si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit.

Ndërkohë, i dyshuari mashkull ka pësuar po ashtu plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas njoftimit të QKUK-së, gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë dhe kritike për jetën.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit dhe sigurimin e provave relevante.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë