PDK: Zemërimi qytetar do të rritet nëse vazhdon bllokada e institucioneve

Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar për të shtatën ditë radhazi aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste për mos-thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Aksionit të PDK-së edhe sot i janë bashkuar deputetë të Aleancës, ndërsa në protestë kanë marrë pjesë edhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.

Asamblistja e PDK-së nga Komuna e Lipjanit, Yllëza Bedrolli, tha se institucionet nuk duhet të mbahen të bllokuara dhe kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të kthehet në Kuvend.

“Sot ne e përkrahim këtë protestë me faktin që nuk mujna me leju me u bllokuar institucionet, nuk mujna me leju që me u mbyll dyert e një institucioni publik siç është Kuvendi, andaj unë e ftoj deputetin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje që me ardhur dhe me i hap dyert të Kuvendit edhe prej sot me filluar me i formuar institucionet, mos me i bllokuar këto edhe kryesisht mos me shkelë Kushtetutën, sepse Kushtetuta duhet të jetë mbi çdo interes politik. Ne jetojmë për Republikë, demokraci në mbështetje të tyre”, tha ajo.

Ish-deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, tha se partia do të vazhdojë të kundërshtojë veprimet e Kurtit, duke paralajmëruar rritje të zemërimit qytetar nëse situata vazhdon, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.

“Na edhe sot jemi këtu për të shprehur fuqishëm kundërshtimin tonë ndaj veprimeve të deputetit Albin Kurti, i cili me vetëdije të plotë është duke shkelur Kushtetutën, rendin juridik të vendit tonë, kryekëput për interesat e tij, për egon e tij dhe për qëllimet e tij tashmë personale, sepse është më se e qartë se gjithçka është e dirigjuar nga ai. Ne i bëjmë thirrje që sa më shpejt të ndryshojë këtë qëndrim, sepse në këtë formë, nëse vazhdohet edhe më tutje, zemërimi i qytetarëve do të rritet dhe për pasojat, përgjegjësitë do t’i bartë ai në ditët në vazhdim”, tha Demaku.

Ndërsa, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se qëllimi i aksionit është ngritja e vetëdijes qytetare dhe politike për, siç u shpreh, shkeljet kushtetuese që po ndodhin në vend.

“Jemi këtu bashkë për të ngritur vetëdijen qytetare dhe politike për vendin tonë se një ndër shkeljet më të mëdha zinxhirore historike ka ndodhur në udhëheqjen e një partie, e cila siç po shihet është strukur diku në zyret e veta dhe e cila vazhdon me qenë recidiviste në shkelje kushtetuese. Historia do të tregojë se një kabinet qeveritar i përbërë prej 21 anëtarëve e prej tyre 17 njerëz janë betuar si deputetë edhe 17 njerëzve nuk ju vjen marre me shku prej Kuvendit në ministri me ushtruar funksione të dyfishta kundërligjshëm. Për me ushtruar funksion të kundërligjshëm si zyrtar publik, kjo nuk përshkruhet ndryshe veçse me këtë kabinet të kësaj partie, të cilëve gradualisht po ju vjen fundi dhe gradualisht po e shohin qytetarët e Kosovës se shkeljet kushtetuese të vazhdueshme janë logjikë e punës së Vetëvendosjes”, tha ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë