Nga refugjate nga Kosova në avokate në Britani – historia frymëzuese e Besjana Topallit nga Drenasi
Një rrugëtim që nisi në pjesën e pasme të një kamioni, kur ishte vetëm shtatë muajshe, sot ka përfunduar me një arritje të madhe profesionale. Besjana Topalli, vajza e një familjeje refugjatësh nga Kosova, është kualifikuar si solicitor (avokate) në Mbretërinë e Bashkuar.
Familja e saj ishte detyruar të largohej nga Kosova për shkak të luftës, duke lënë pas shtëpinë dhe familjarët në kërkim të sigurisë dhe një të ardhmeje më të mirë për fëmijët. Besjana tregon se në Britani kishin mbërritur të fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.
Edhe pse ishte tepër e vogël për ta kujtuar atë udhëtim, sakrifica e prindërve u bë motivimi kryesor gjatë jetës së saj.
Besjana fillimisht përfundoi studimet universitare në Sociologji, ndërsa më pas vendosi të ndiqte ëndrrën për t’u bërë avokate. Ajo përfundoi Graduate Diploma in Law dhe më pas Legal Practice LLM, duke u përgatitur profesionalisht për ushtrimin e profesionit juridik.
Gjatë studimeve fitoi përvojë edhe në fushën e emigracionit, ndërsa në vitin 2023 iu bashkua Levenes Solicitors, ku merret me rastet e personave që kërkojnë kompensim për lëndime personale.
Në shtator të vitit 2025, ajo arriti një nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj – u kualifikua si solicitor në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kur shikoj prapa dhe kujtoj se ku filloi rrugëtimi im, kjo arritje ka edhe më shumë kuptim për mua”, shprehet Topalli.
Sot ajo ndihmon klientët në raste që përfshijnë aksidente në punë, aksidente në komunikacion, lëndime në vende publike, neglizhencë mjekësore dhe raste të tjera të lëndimeve personale.
Historia e Besjana Topallit është një rrëfim i fuqishëm i një familjeje kosovare që iku nga lufta për të gjetur siguri, ndërsa vajza e tyre, vite më vonë, arriti të ndërtojë një karrierë në sistemin juridik britanik.
Për Besjanën, ky sukses nuk është vetëm një arritje profesionale, por edhe dëshmi e sakrificës së prindërve të saj: nga një foshnjë refugjate nga Kosova, në një avokate që sot ndihmon të tjerët në Mbretërinë e Bashkuar.




