Plumbi “qorr” çan çatinë dhe përfundon brenda dhomës së një shtëpie në Skenderaj – dyshohet se erdhi nga AK-47

Një familje në Skenderaj është përballur me një situatë të rrezikshme mbrëmjen e së dielës, pasi një predhë ka depërtuar përmes çatisë dhe ka përfunduar brenda një dhome të shtëpisë, raporton Sinjali.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 9 gusht, rreth orës 22:30, në rrugën “Sala e Hamit Jashari”, ndërsa rastin në Polici e ka raportuar A. H. rreth 51-vjeç.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, predha ka depërtuar fillimisht përmes çatisë së shtëpisë dhe më pas ka përfunduar brenda një dhome banimi në katin e tretë.

Fatmirësisht, në momentin e incidentit askush nuk është goditur dhe nuk raportohet për persona të lënduar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, hetuesit dhe Krim-teknika, të cilët kanë kryer ekzaminimin e vendit dhe kanë sekuestruar predhën si provë materiale.

Sipas të dhënave të rastit, dyshohet se predha është e kalibrit 7.62 mm dhe mund të jetë shkrepur nga një AK-47.

Për momentin mbetet mister se nga është shtënë dhe kush e ka shkrepur, pasi Policia ende nuk ka identifikuar ndonjë person të dyshuar.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe hetimet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë