Shoqata e Qumështoreve kërkon hetime pas gjetjeve të AUV-it
Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka reaguar pas konferencës së mbajtur të martën nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ku u prezantuan rezultatet e analizave në sektorin e qumështit.
Nga kjo shoqatë vlerësojnë se gjetjet e prezantuara lidhur me përdorimin e vajit të palmës dhe qumështit pluhur konfirmojnë shqetësimet që, sipas tyre, janë ngritur prej vitesh.
“Në konferencën e sotme u prezantuan gjetje skandaloze sa i përket vajit të palmës dhe qumështit pluhur, të cilat tregojnë dhe dëshmojnë se shqetësimet tona, të shprehura ndër vite, kanë qenë të drejta dhe të sakta”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Shoqata kërkon që përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur në fabrikat e përpunimit të qumështit në Kosovë të ndalohet plotësisht.
“Vaji i palmës dhe qumështi pluhur duhet të ndalohen në fabrikat e përpunimit të qumështit në Kosovë. Fshehja masive e vajit të palmës dhe qumështit pluhur në produktet e qumështit tregon se jemi duke u përballur me një problem jashtëzakonisht të madh, i cili mund dhe duhet të ndalet”, thuhet më tej në reagim.
Sipas Shoqatës, nevojiten hetime të plota për produktet e dyshuara dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.
“Qindra miliona kilogramë produkte me vaj palme dhe qumësht pluhur duhet të hetohen, ndërsa përgjegjësit duhet të përballen me ligjin”, theksohet në reagim.
Në të njëjtën kohë, Shoqata kërkon që të rikthehet besimi i konsumatorëve në produktet e qumështit.
“Konsumatorët e Kosovës duhet të qetësohen dhe të rikthehet besimi i tyre, si ndaj produkteve vendore, ashtu edhe ndaj produkteve të importuara”, thuhet në deklaratë.
Shoqata ka përshëndetur kontrollet e kryera nga AUV, duke i cilësuar ato si një hap të rëndësishëm drejt garantimit të sigurisë ushqimore.
“Kontrollet e realizuara nga AUV janë për t’u përkrahur dhe për t’u falënderuar. Ato janë një hap i rëndësishëm drejt transparencës, kontrollit dhe mbrojtjes së konsumatorit”, thuhet në reagim.
Në fund, Shoqata i ka bërë thirrje AUV-it që të vazhdojë me të njëjtin intensitet kontrollet dhe hetimet deri në ndalimin e çdo keqpërdorimi në sektor.
“Shoqata e Qumështoreve i bën thirrje AUV-it që të vazhdojë me të njëjtin intensitet kontrollet dhe hetimet, deri në demaskimin dhe ndalimin e plotë të çdo keqpërdorimi që bëhet në dëm të fermerëve, konsumatorëve dhe shtetit në përgjithësi. Interesi publik është mbi gjithçka tjetër. Siguria ushqimore duhet të jetë prioritet kombëtar”, përfundon reagimi.


