Rriten rastet me fruth në Kosovë – edhe Drenasi e Skenderaji me raste të konfirmuara
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth në vend, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, Drenasi ka regjistruar 3 raste të konfirmuara, ndërsa Skenderaji 2 raste me fruth.
Komuna me numrin më të madh të rasteve është Prishtina me 33 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 25, Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste.
IKShPK thekson se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin regjistruar 65 raste, këtë vit është shënuar rritje e numrit të të prekurve.
Instituti u bën thirrje qytetarëve që, në rast të simptomave si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqiten sa më shpejt në institucionet shëndetësore. Po ashtu, prindërit dhe kujdestarët ftohen të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve, pasi vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e fruthit.


