Vendpunishtja ku humbi jetën i riu në rrugën “A” nuk ishte inspektuar më parë
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se vendpunishtja e subjektit “Vëllezërit Asllani”, ku ndodhi aksidenti gjatë montimit të një vinçi dhe ku një punëtor humbi jetën, ndërsa një tjetër pësoi lëndime, nuk ishte inspektuar më herët.
Sipas Inspektoratit, arsyeja ishte se punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në realizimin e themeleve.
Aksidenti ndodhi gjatë montimit të një vinçi (krani), ku dy punëtorë u lënduan. Njëri prej tyre nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa tjetri pësoi lëndime trupore.
Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë veprimet inspektuese në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse.
Nga Inspektorati kanë thënë se ende është herët të përcaktohet shkaku i saktë i aksidentit, pasi nevojiten hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të zbardhur rrethanat dhe për të vlerësuar nëse janë respektuar masat e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Institucioni ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e punëtorit që humbi jetën, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim të shpejtë.


