Shukri Buja bën homazhe në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Shtimes
Ish-deputeti dhe ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, mori pjesë në aktivitetet përkujtimore me rastin e 28-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Shtimes, transmeton portali DrenicaOnline.
Homazhet nisën pranë shtatores së Kryekomandantit Adem Jashari dhe vazhduan në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Reçak, Mollopolc, Zborc, si dhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Shtime, ku u vendosën kurora me lule në nderim të të rënëve për lirinë e Kosovës.
Buja mori pjesë edhe në përurimin e investimeve të përfunduara në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, ndërsa më pas ndoqi shfaqjen e dokumentarit kushtuar Dëshmorit të Kombit, Sadik Mujota – Malsori, ku mbajti edhe fjalën e rastit në akademinë përkujtimore.
Ai theksoi se në këto ditë të veçanta është e rëndësishme të nderohen ata që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës, duke përfunduar me mesazhin: “Lavdi të gjithë dëshmorëve të Komunës së Shtimes dhe të gjithë Kosovës!”




