Fadil Demaku viziton Shtëpinë-Muze “Ymer Elshani” në Korroticë të Ultë
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fadil Demaku, ka vizituar Shtëpinë-Muze “Ymer Elshani” në fshatin Korroticë e Ultë të Drenasit, ku ka bërë homazhe dhe ka kujtuar jetën e veprën e shkrimtarit dhe atdhetarit Ymer Elshani.
Demaku rikujtoi se Ymer Elshani u vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në Poklek të Vjetër, së bashku me bashkëshorten Nafije, katër djemtë e tyre – Ardianin, Miranin, Kujtimin dhe Nderimin – si dhe nënën Naile, bashkë me 46 banorë të tjerë në Masakrën e Poklekut të Vjetër.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Teuta Elshani, e mbijetuara e vetme e familjes, e cila ndau kujtime dhe dëshmi për tragjedinë që goditi familjen e saj.
Sipas Demakut, Shtëpia-Muze “Ymer Elshani” do të shërbejë si një vend i rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës historike, prezantimin e jetës dhe veprës së shkrimtarit, si dhe edukimin e brezave të rinj për të vërtetën dhe sakrificën për liri.
Në këtë vizitë, deputeti ishte i shoqëruar edhe nga Xhafer Rama, Afrim Hysenaj dhe Izet Avdyli.



