Vdes shkrimtari dhe gazetari i njohur nga Drenasi, Avdi Shala
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe gazetarit të njohur, Avdi Shala, njërit prej emrave më të shquar të letërsisë shqipe për fëmijë, me prejardhje nga fshati Kishnarekë i Drenasit, transmeton portali DrenicaOnline.
Në telegramin e ngushëllimit, Lladrovci, në emër të Komunës së Drenasit dhe të qytetarëve, u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Shala, të afërmve, miqve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, komunitetit të shkrimtarëve dhe artistëve, si dhe të gjithë dashamirëve të letërsisë.
Ai theksoi se Avdi Shala do të kujtohet për krijimtarinë e tij të pasur dhe kontributin e çmuar në edukimin e brezave të tërë përmes letërsisë për fëmijë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer kulturore dhe letrare.
“Qoftë i përhershëm kujtimi për jetën dhe veprën e tij!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

