Sot priten stuhi të forta në gjithë Kosovën
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, pasi sipas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, më 22 korrik 2026 priten stuhi me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta në të gjithë territorin e vendit.
Ministria apelon që qytetarët dhe ngasësit të jenë të kujdesshëm në komunikacion, për shkak të dukshmërisë së reduktuar, rrugëve të rrëshqitshme dhe pengesave që mund të krijohen nga moti i lig.
Autoritetet rekomandojnë që gjatë stuhive të shmanget qarkullimi i panevojshëm, të përshtatet shpejtësia me kushtet atmosferike, të mos parkohen automjetet nën pemë apo pranë shtyllave elektrike dhe të respektohen sinjalizimi rrugor dhe udhëzimet e institucioneve kompetente.
Sipas ministrisë, ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve do të jenë në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo situate që mund të paraqitet në infrastrukturën rrugore.

