Shukri Buja bën homazhe për Heroin Rexhep Bislimi dhe dëshmorin Kadrush Ilazi
Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit dhe ish-deputeti, Shukri Buja, ka bërë homazhe pranë varreve të Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi, dhe dëshmorit Kadrush Ilazi, në 28-vjetorin e rënies heroike të Bislimit.
Buja vlerësoi lart kontributin e Rexhep Bislimit si një ndër veprimtarët, organizatorët dhe luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ai zgjodhi rrugën e sakrificës për lirinë e vendit.
Ai theksoi se liria e Kosovës u fitua me gjakun e dëshmorëve dhe heronjve, ndërsa bëri thirrje që kujtimi për ta të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi.
“Lavdi e përjetshme Heroit të Kosovës, Rexhep Bislimi, dëshmorit Kadrush Ilazi dhe të gjithë dëshmorëve e heronjve të kombit”, ka shkruar Buja.

