Detaje të reja nga aksidenti tragjik në Komoran: Familja kosovare po kthehej nga Aeroporti i Tiranës
Një aksident i rëndë trafiku në orët e hershme të mëngjesit në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, ka përfunduar me vdekjen e 24-vjeçares Rea Raka dhe lëndimin e tre personave të tjerë.
Sipas detajeve të reja, mësohet se viktimat ishin një familje kosovare që po kthehej nga Aeroporti i Tiranës, kur ndodhi aksidenti tragjik.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30, kur vetura me targa vendore, për shkaqe ende të panjohura, dyshohet se ka pësuar vetaksident.
Si pasojë e përplasjes, Rea Raka ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Sipas informacioneve të para, të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
Në vendin e aksidentit kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, ekipet emergjente dhe hetuesit e aksidenteve, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është duke u hetuar nga njësia përkatëse e Hetimeve të Trafikut, ndërsa trupi i pajetë i 24-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Shkaqet që çuan deri te aksidenti tragjik ende nuk janë bërë të ditura dhe mbeten objekt i hetimeve.


