Regjisori nga Çikatova e Vjetër po i afrohet Oscarit

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka pritur në Ambasadën e Kosovës regjisorin e njohur Visar Morina, duke vlerësuar sukseset e tij në arenën ndërkombëtare dhe rrugëtimin e jashtëzakonshëm nga Çikatova e Vjetër e Drenicës drejt skenave më prestigjioze të kinemasë botërore, transmeton portali DrenicaOnline.

Ajeti theksoi se filmi më i ri i Morinës, “Shame and Money”, është shpërblyer me çmimin kryesor në Filmfest München dhe Sundance Film Festival, sukses që, sipas tij, e afron regjisorin kosovar drejt një nominimi për çmimin Oscar.

Ambasadori e cilësoi suksesin e Morinës si një arritje jo vetëm personale, por edhe të Republikës së Kosovës, duke nënvizuar se veprat e tij kanë ngritur lart emrin e kinematografisë kosovare në skenën evropiane dhe ndërkombëtare.

Ai bëri të ditur se gjatë muajve në vijim, në kuadër të diplomacisë kulturore, Ambasada e Kosovës në Gjermani do të bashkëpunojë me Visar Morinën dhe artistë të tjerë për të promovuar historinë, talentin dhe krijimtarinë e artistëve kosovarë para publikut gjerman./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë