Kujtohet dëshmori Agron Krasniqi nga Drenasi, luftëtari që dha jetën në Betejën e Koshares

Agron Krasniqi, një nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtohet si një ndër dëshmorët që sakrifikoi jetën për lirinë e vendit gjatë luftës së vitit 1998.

I lindur më 1 shtator 1967 në Vukoc të Drenasit, Agroni u rrit në një familje të madhe dhe, pas përfundimit të shkollimit për automekanik, punoi për rreth dhjetë vjet në ndërmarrjen transportuese “Kosovatrans” në Drenas. Ai njihej për guximin dhe qëndrimin e tij kundër regjimit serb, ndërsa në vitin 1997 u bë i njohur për qytetarët e Drenasit pasi hoqi flamurin serb nga një autoblindë e policisë.

Me fillimin e luftës, ai iu bashkua radhëve të UÇK-së dhe mori pjesë në Betejën e Grykës së Llapushnikut më 9 maj 1998, si dhe në përballje të tjera në zonën e Drenicës.

Në qershor të vitit 1998, Agron Krasniqi ishte pjesë e grupit të madh të luftëtarëve të udhëhequr nga Bekim Berisha dhe Bedri Shala, të cilët kaluan në Shqipëri për të siguruar armatim për njësitë e UÇK-së. Pas një muaji përgatitjesh në Tropojë, kolona me mbi 1.500 luftëtarë dhe qindra kuaj të ngarkuar me armë u nis drejt kufirit të Kosovës.

Natën mes 17 dhe 18 korrikut 1998, grupi u përball me një sulm të ashpër të forcave serbe. Gjatë luftimeve, Agron Krasniqi u plagos rëndë nga një predhë minahedhësi dhe, pavarësisht përpjekjeve të bashkëluftëtarëve, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të 18 korrikut, duke rënë dëshmor.

Pas luftës, trupi i tij u identifikua dhe u rivarros me nderime në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve dhe Martirëve në Negroc të Drenasit.

Agron Krasniqi la pas bashkëshorten Fatime dhe katër fëmijët: Vjollcën, Malësoren, Fitimin dhe Festinën. Për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës është nderuar me mirënjohje nga institucione dhe organizata të dala nga lufta, ndërsa figura e tij vazhdon të kujtohet si simbol i sakrificës dhe atdhedashurisë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë