Goditet shpërndarja e kokainës, arrestohen dy persona në rrugën Prishtinë-Pejë
Hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), Prishtinë, kanë trajtuar një rast rreth dyshimit se një i dyshuar është duke u marrë me shitblerje të substancave narkotike. Pas një pune operative-hetimore, më 15.07.2026, në magjistralen Pejë-Prishtinë, është lokalizuar i dyshuari F. P., (viti i lindjes 1992, mashkull kosovar), i cili ishte në një veturë.
Në veturë dhe në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin. Rasti është trajtuar në koordinim me prokurorin kujdestar.
Po ashtu, është bastisur edhe shtëpia e një të dyshuari tjetër: Q. K., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar), por nuk është gjetur asgjë e ndaluar.
Ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave, psikotrope dhe analoge’. Të dyshuarit me aktvendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

