Gjeneral Jashari pret në takim ambasadorin britanik, theksohet mbështetja për zhvillimin e FSK-së

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim delegacionin britanik të udhëhequr nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Gjatë takimit, Gjeneral Jashari e njoftoi ambasadorin me të arriturat e FSK-së, aktivitetet, operacionet dhe planifikimet për zhvillimin e mëtejmë të forcës. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe i ka dhënë FSK-së në të gjitha fazat e zhvillimit të saj.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në përballimin e sfidave të përbashkëta.

Po ashtu, palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit profesional në fushën e arsimit, edukimit dhe zhvillimit të liderëve dhe njësive të FSK-së, me synim rritjen e profesionalizmit dhe kapaciteteve operacionale.

Në përfundim të takimit, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves falënderoi Gjeneral Jasharin për lidershipin e treguar në zhvillimin e FSK-së, ndërsa të dyja palët riafirmuan përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë